//
ju po lexoni...
Intervista

28 mijë dëshmorët? Nuk është shifër e Enverit, por e qeverisë kuislinge, ka dokument të tetorit ‘44

Bisedoi Ardit Rada

Plasari: 28 mijë dëshmorët? Nuk janë vepër e Enverit, por e Qeverisë Kuislinge. Dhe kur e thotë një si Aurel Plasari, së paku këtij segmenti të këtij debati mund t’ja vemi pa merak kapakun. Në këtë intervistë dhënë për “Shekullin”, profesor Plasari flet edhe mbi debatet e tjera për historinë në këtë 100 vjetor të shtetit shqiptar. Shtatore Zogut? Mund të merrej një mendim më i gjerë, që ta bënte maksimalisht të pranueshëm për shoqërinë e sotme shqiptare vendimin, – thotë ai dhe shton: “Propozimi i qytetit të Vlorës, për një shtatore të re për Ismail Qemalin, ka qenë lajmi që më ka ngrohur më shumë gjatë këtyre debateve. Edhe Shkodra dhe shkodranët të mos qahen e ankohen, por të bëjnë të njëjtën gjë me Gurakuqin”. I pyetur për debatin Kadare-Qosja, z.Plasari komenton: Kadare ka nonsense për të vënë buzën në gaz, Qosja ngatërron Stambollin me Jeruzalemin. Ai i quan ikje të pazëvendësueshme për kulturën shqiptare humbjen e Ardian Klosi, Gjergj Zheji e Vedat Kokona.
Më poshtë, pjesa e parë e intervistës, nesër mund të lexoni pjesën tjetër të saj.

Z. Plasari, a mund të na tregoni diçka nga përgatitjet e Bibliotekës Kombëtare në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë? Diçka nga veprimtaritë që keni planifikuar dhe ndonjë “surprizë” për publikun?

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, ju e dini, nuk ndërton monumente, nuk bën as party, as mbrëmje gala. Në këtë 10-vjetor specialistët e saj të librit ndihen të gëzuar për arritjet e këtij dhjetëvjeçari të fundit, të cilat mund të quhen festimi më i mirë i jubileut. Janë arritje që i kanë regjistruar edhe mediat, – gazetën tuaj e falënderoj në mënyrë të veçantë për ndjekjen dashamire që u ka bërë arritjeve të BKSh, – dhe që po i rikujtoj vetëm skematikisht: integrimi i BKSh në proceset e mëdha bashkëkohore të fushës së bibliotekonomisë posaçërisht në ato të tekonologjive të reja; ofrimi gjithnjë më i zmadhuar i informacionit të automatizuar (elektronik) për përdoruesit; realizimet me sukses të provave të para për digjitimet e koleksioneve të Vlerave të Rralla duke filluar njëherësh me antikuarë, dorëshkrime, harta të vjetra dhe shtyp periodik me vlera albanologjike; përfshirja në bibliotekat më të mëdha ndërkombëtare virtuale, siç është ajo në “Europeana”, ku tanimë jemi partnerë me të drejta të plota prej disa vitesh; nënshkrimi i marrëveshjes për përfshirjen në Bibliotekën Digjitale Botërore si nismë e Bibliotekës së Kongresit Amerikan dhe UNESCO-s; Portali Albanologjik si arritje më e fundit e bashkëpunimit me Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës; themelimi i Konferencës Kombëtare të Biblitekonomisë Shqipëri-Kosovë ose Kosovë-Shqipëri; perfumndimi vitin e kaluar i Masterit të parë dyvjeçar për “shkencën e bibliotekës” për herë të parë te ne, me të cilin u graduan rreth 40 specialistë/specialiste nga gjithë bibliotekat e Shqipërisë… Nuk më shkon të bëj enumeracione të këtilla dhe me lejoni të mos e zgjas më.

Megjithëkëtë jubiletë si ky i 100-vjetorit kanë edhe një aspekt festiv apo jo?

Po, e drejtë. Tanimë një grup pune me specialistë po punon që, duke filluar prej shtatorit, të realizojë një seri ekspozimesh të posaçme në hollin e Bibliotekës nga koleksionet e Vlerave të Rralla me njësitë që kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me 100-vjetorin e Pavarësisë. Mendoj se do të fillohet nga Memorandumi i Gërçes ose, siç njihet ndryshe, “Libri i kuq”. Është Memorandumi që u hartua në Malet e Shqipërisë nga Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi më 1911-n në emër të kryengritjes shqiptare për t’iu drejtuar Fuqive të Mëdha të asaj kohe. Me një ekspozim të tillë i përkujtojmë edhe të dy heronjtë njëherësh nëpërmjet një kopjeje të kësaj njësie fort të rrallë. E quajmë detyrë që lexuesit, studentët, nxënësit dhe gjithkush dëshiron të mund ta këqyrin atë edhe me sy, të ekspozuar, dhe jo vetëm ta përfytyrojnë nga sa kanë lexuar të përmendet në librat e dorës shkollorë ose në tekstet e historisë. Mendohet të vijohet me memorandume të tjera, nga viti i shpalljes së Pavarësisë deri në Konferencën e Paqes të Parisit, pra 1919, dhe që për arsye të njohura të censurës së një kohe tanimë të kaluar etj. nuk kanë qenë “të dukshme” për përdoruesit. Ekspozita jubilare, më në fund, mund të organizohet e plotë ndoshta nën siglën “Koha e memorandumeve”.

Sa për “surprizat” që ju pyetët, po e zbuloj njërën: realizimin elektronik të koleksionit, që ne e ruajmë në Arkiv, të gazetës së Qeverisë së Vlorës “Përlindja e Shqipërisë”. Përpos prodhimit në suport elektronik, që do t’u shtohet koleksioneve të digjituara të “Albanisë” së Konicës dhe “Diturisë” së Lumo Skëndos dhe që do të jetë gjithashtu në përdorim të pakufizuar publik online, BKSh shpreson të riprodhojë edhe një numër ekzemplarësh “festivë” të koleksionit për ne këtu dhe për në Kosovë.

 

Kur përmendni materiale “të censuruara”, i referoheni censurës gjatë viteve të socializmit apo moslejimit të përdorimit të tyre nga administrata e BK për shkak të vlerës si njësi të rralla?

E kam fjalën pikërisht për periudhën e socializmit real, siç duhet quajtur. Gjatë saj raporti i koleksioneve të lejuara për shfrytëzim me ato të ndaluara ka qenë i frikshëm: shpesh 20% me 80% në dëm të atyre “të lejuara”. Pjesa gati më e madhe e koleksioneve albano-balkanologjike, për shembull, i ruan ende sot shenjat e kuqe “R” (i rezervuar), “Ra” (autor i rezervuar), “ShR” (shumë i rezervuar) etj. “Le R rouge qui me terrorise” thoshte për to Nonda Bulka: “R-ja e kuqe që më terrorizon”. Të shkruara të harruara: janë shenja të zhvleftësuara, që vetëm i bëjnë mitë kujtesës. Tanimë asnjë njësi e koleksioneve të BKSh nuk është “e ndaluar” për përdoruesin.

           

Kohët e fundit ka pasur një debat, të iniciuar nga qeveria dhe të vazhduar më pas nga politika dhe nga opinioni kulturor, për rishikimin e figurave historike dhe për rishkrimin e historisë në përgjithësi. Si i keni përcjellë këto debate duke qenë se jeni edhe anëtar i Komitetit Ndërministror të 100-vjetorit të Pavarësisë?

Idetë për rishkrimin  historisë nuk mund të mos i pres më shumë interes, qoftë edhe për faktin se mund të kem qenë njëri ndër të parët që kam formuluar ndonjë tezë për rishikimin e historisë, të paktën qysh në një nga tekstet e mia që mban poshtë vitin 1992. Tanimë gjatë këtu 20 viteve edhe unë, si ju, po e përjetoj procesin e këtij rishkrimit. Që ne gjallojmë brenda tij, në kohë e sipër që ai zhvillohet,  këtë mund ta mohojë vetëm ndonjë personazh si “borgjezi fisnik” i Molière-it. Kur them “proces” e kam në kuptimin më të gjerë të mundshëm, jo për procedurat historishkruese që kryhen vetëm brenda zyrave të instituteve, mbasi rishkrimi i historisë në një shoqëri të lirë përfytyrohet shumë i gjerë. Ky pozicionim brenda këtij procesi më ka bërë që të mos luaj rolin e budallait e të mos dalloj dy prirje: prirjen e rishkrimit të historisë për hir të historisë dhe prirjen e rishkrimit të historisë për hir të politikës. Kjo prirja e dytë është e dëmshme për cilëndo shoqëri. Për shoqërinë tonë rezulton po aq e dëmshme sa praktika deformuese e shkrimit të historisë, nganjëherë e mbiquajmë “zyrtare”, gjatë periudhës së socializmit real. Madje konstatoj se këtë dallim mes dy prirjeve ka filluar ta bëjë edhe shoqëria shqiptare, e cila me intuitë e ka përkapur rrezikun.

Kur them se mund të kem qenë njëri ndër të parët që kam formuluar ndonjë tezë për rishikimin e historisë, kam parasysh që në botën e sotme të qytetëruar, më së shumti në Europë por edhe në ShBA, ekziston ajo lëvizje që quhet “revizionizëm historik”. Njëri nga miqtë e mi, politikan serioz, në ndonjë libër që më ka dhuruar më ka cilësuar edhe si “revizionist historik”. Mundet që jam i tillë, por në kuptimin e prirjes për ta “revizionuar” historinë vetëm për hir të historisë, të së vërtetave historike. Edhe në Europë, si edhe në ShBA, ekziston rreziku që përmenda për kulturën shqiptare. Shumë e njohur është, fjala vjen, prirja për të revizionuar historinë e Luftës II Botërore. Ajo është ende nyja problematike, – nuk po e quaj “patatja e nxehtë” se do ta fyeja atë Luftë, – që i shqetëson ende politikanët më shumë se vetë historianët. Ata që lexojnë “libra revizionistë” e dinë se çfarë karakteristikash ka kjo prirje: teknikat perfide për të përfituar nga ndonjë pasaktës shifrore dhe për të dalë te mohimi i Holokaustit. Ose: për të luajtur me koncepte dhe terma, duke i nxjerrë ato nga konteksti i Luftës II Botërore, për të përfunduar te rehabilitimi i qeverive kuislinge, te shpëlarja e krimeve të kolaboracionizmit simbas përkufizimit që i epet këtij termi-koncept në fjalorët e politologjisë për Luftën II Botërore. Teknika të tilla lulëzojnë sidomos në vende që janë dalluar për rezistenca antifashiste ose lëvizje nacional-çlirimtare, siç është edhe rasti i Shqipërisë dhe i Luftës së saj Nacional-Çlirimtare. Ja këtu një shembull: stërhollimi i diskutimeve për shifrën e dëshmorëve, kinse qenkësh e sajuar nga historianët e Enver Hoxhës. Ja ku po i qetësoj duke u thënë se është, përkundrazi, shifër e prodhuar nga propaganda e qeverisë kuislinge nën pushtimin gjerman, nga organi i saj zyrtar “Bashkimi i kombit”. Kam këtu mbi tryezë fotokopjen dhe mund ta lexoni në “editorialin” e datës 21 tetor 1944 me titull “Mjaft më!”: “Sipas një statistike, që kur shkeli Italija në vëndin t’onë, më 7 prill 1939 e gjer më sot, janë vrarë në veprime  luftarake kundra okupatorit ose për pasojë të luftës që prej të huajvet është zhvilluar në tokat t’ona, njëzetetetëmijë shqiptare…”. Tani a mos duhet t’u shtojmë këtyre edhe ata që janë vrarë nën pushtimin gjerman? Shumës së përgjithshme a mos i duhet bërë mandej një zbritje duke qenë se atëherë “Shqipëria e madhe” përfshinte edhe Kosovën? Pa bërë shaka: si politikanët, si mediat e tyre, është mirë t’ua lënë t’i shkokolepsin lëmshe të tilla historianëve. Rast i ngjashëm dhe simetrik me teknikën për të mohuar Holokaustin është edhe loja me shifrat e të masakruarve të 4 shkurtit 1944 në Tiranë, për mos shtuar mandej heshtjen e përbetuar për masakrën e 104 vetëve brenda një nate në kampin e përqendrimit në Prishtinë. Parimisht sot në Europë thuhet se ata që rreken të mohojnë Holokaustin kanë dëshirën e fshehtë që ai të përsëritet. Po kështu duhet të themi me këmbëngulje se ata që rreken të mohojnë masakra si ajo e 4 Shkurtit mund të kenë dëshirën e fshehtë që masakra të ngjashme të përsëriten. Në raste të tilla do të ishte e udhës të mos llogarisin vetëm rrezikun për “të tjerët”, por edhe për vete përfshi edhe fëmijët e tyre, sepse historia i ka dhënë tanimë edhe shoqërisë shqiptare mjaftueshëm mësime të hidhura.

 

            Në debatin për të cilin po bisedojmë a bën pjesë edhe vendimi për të ngritur në kryeqytetin e Shqipërisë tri përmendoret ose shtatoret, të Ismail Qemalit, Ahmet Zogut dhe Hasan Prishtinës? 

            Në këtë mes ka një ndryshim: shtatoret e ngritura për ta nuk janë thjesht çështje revizionimi të historisë, janë më shumë çështje nderimi dhe përkujtimi. Për përkujtim dhe nderim – për të mos thënë adhurim – ngrihen përmendoret, për çfarë tjetër? Të tria figurat afërmendsh që nuk janë “homologe”. Dhe as që ka figura homologe në historinë e kombeve. Për Ismail Qemalin nuk mund të mohohet që është figurë tanimë e konsakruar: nuk ka shqiptar që ta vërë në dyshim borxhin që i ka atij Shqipëria. Mes të triave figurë kontroverse ka mbetur ajo e Ahmet Zogut dhe unë i quaj më se normale, madje shumë qytetare, kundërthëniet për të .

Ju vetë jeni pro apo kundër ngritjes në Tiranë të një shtatoreje të tij?

Shiko: nuk është aspak puna nëse është pro ose kundër shtatores së tij Aurel Plasari. Vendimi për shtatoren e Ahmet Zogut është një vendim parashtruar Komisionit nga Kryeministri i Shqipërisë. Komisioni nuk është marrë me votime për tri figura apo për katër figura apo për dy. Dhe në fakt ka bërë mirë. Vetë e mendoj çështjen shumë më hapur dhe më demokratikisht: për shtatoren e një figure si e Ahmet Zogut mund të merrej një mendim më i gjerë, që ta bënte maksimalisht të pranueshëm për shoqërinë e sotme shqiptare vendimin, qoftë pro, qoftë kundër. Nuk po përdor fjalën “referendum”, se në këto momente politike ajo është bërë “zhele”. Po them mendimi i Kuvendit të Shqipërisë. Fundja qoftë edhe vetëm mendimi i përbashkët i forcave politike që qeverisin. Ose i një forumi të PD-së. A ku di unë se çfarë instance. Pse e mendoj kështu? Sepse i kam arsyet në vetë traditën qytetare shqiptare. Vlora qysh në vitet 30 të shekullit të kaluar mori nismën qytetare, mblodhi paratë, mobilizoi autorin, dhe kreu monumentin e “Flamurtarit”, në këmbë e i nderuar edhe sot. Po në vitet 30 Korça mori nismën qytetare, mblodhi paratë, mobilizoi autorin, dhe kreu monumentin e “Luftëtarit Kombëtar” dhe më vonë edhe atë të heroit të saj, “Themistokli Germenjit”, të dy në këmbë dhe të nderuar edhe sot. Kështu Gjirokastra, po në vitet 30, mori nismën qytetare, mblodhi paratë, mobilizoi autorin, dhe bëri monumentin e “Çerçiz Topullit”, në këmbë dhe i nderuar edhe sot. Kështu veprojnë qytetet. Kështu kanë vepruar atëherë kur nuk ishte as OJQ-ra, as OJF-ra. Monumente të tilla as rrëzohen dhe as tërhiqen zvarrë, as pështyhen dhe as pshurren nga turmat. Madje-madje le ta themi që as edhe Enver Hoxha nuk guxoi t’i cenonte. Propozimi i qytetit të Vlorës, për një shtatore të re për Ismail, ka qenë lajmi që më ka ngrohur më shumë gjatë këtyre debateve. Edhe Shkodra dhe shkodranët e xhurnaleve dhe të kanaleve televizive do të bënin mirë të mos i qaheshin e ankoheshin botës se po ua “persekutuakan” heroin, por të organizohen për të vënë në vend nderin: mbasi të kenë dënuar prishësit e shtëpisë muze të Luigj Gurakuqit, ta rindërtojnë atë me sigurinë që nuk do të dalë një trim tjetër, nesër-pasnesër, dhe t’ua rrënojë përsëri. Për këtë traditë qytetare e kam fjalën, jo qytetare ngaqë lidhet me njerëz që thjesht çojnë jetën në qytete, por qytetare në kuptimin e qytetërimit.

Advertisements

Diskutim

Një mendim mbi “28 mijë dëshmorët? Nuk është shifër e Enverit, por e qeverisë kuislinge, ka dokument të tetorit ‘44

  1. do te kisha deshire te madhe qe te trajtohen te gjitha problemet per vendin tim, ashtu sic por sa lexova me siper….Respektoj z.Aurel Plasari……….

    Postuar nga Arben Shaka | 20 Gusht, 2012, 11:34 am

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Përditësime Twitter

Gabim: Twitter-i s’u përgjigj. Ju lutemi, prisni pak minuta dhe rifreskojeni këtë faqe.

Vendosni adresën tuaj të e-mailit

Bashkojuni 36 ndjekësve të tjerë

Advertisements
Këtë e pëlqejnë %d blogues: